KF Besa e Dobërdollit stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e parë në Ligën e Dytë unike, ndërsa kjo ka bërë që drejtuesit e kësaj skuadre të mos kursejnë asgjë, duke sjellë në rradhët e tyre elemente mjaft cilësore, që do ju shërbejnë për pjesën e dytë të sezonit, shkruan “infOSport.mk”.
Pas Filip Aleksovskit, i angazhuar ditë më parë nga rradhët e Makedonija Gj.P., drejtuesit e Besës së Dobërdollit, tashmë për vete kanë bërë edhe mbrojtësin me shumë përvojë në Ligën e Parë, Arsim Lamallarin.
Burime të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se palët kanë arritur marrëveshje dhe se nesër shkupjani, Arsim Lamallari do të prezantohet me fanellën e skuadrës nga Dobërdolli, që pritet të sjellë edhe disa përforcime të bujshme, deri në fillimin e pjesës pranverore.
Lamallari për dy vite e gjysmë me mjaft sukses mbronte ngjyrat e skuadrës së Sileksit nga Kratova, ndërsa me të përfunduar kontrata ai nuk deshi që ta vazhdojë të njëjtën, duke kërkuar një sfidë të re në karrierën e tij.
Lamallari në futbollin tonë vendor ka veshur edhe fanellën e Skopjes dhe EuroMilk, ndërsa gjithashtu kishte patur një aventurë edhe në futbollin turk.
Vlen të theksohet se për shërbimet e Lamallarit, interesohej edhe Voska Sport, drejtuesit e së cilës skuadër madje kishin pasur një takim me futbollistin në Shkup, mirëpo deri te një marrëveshje mes tyre nuk kishte ardhur. (infOSport.mk)