Ende pa përfunduar pjesa e parë e stinorit vjeshtorë në Superligën shqiptare, te Vllaznia po ndodhin shumë lëvizje. Largimet nga kjo skuadër vazhdojnë të ndodhin edhe gjatë këtyre ditëve, derisa gjithçka nisi me largimin e sulmuesit maqedonas, Darko Dodev që javë më parë.
Ish futbollisti i Bregallnicës, për të cilin thuhet se tashmë ka arritur marrëveshje me FC Shkupin, nuk gjeti hapësirat e duhura te skuadra shkodrane, që gjithashtu disa ditë më vonë u nda edhe ish futbollisti i Shkëndijës dhe FC Shkupit, Konstantin Çeshmexhiev.
Dita e djeshme solli edhe largimin e mbrojtësit Redon Dragoshi, i cili duke parë situatën e fundit të krijuar te skuadra nga Shkodra, ka rënë dakord me drejtuesit e Vllaznisë për të ndërprerë kontratën dhe për të synuar gjetjen e një tjetër ekipi në janar.
Fatin e njëjtë me shumë gjasa do ta ketë edhe futbollisti kërçovarë, Xhelil Asani. Ish futbollisti i Shkëndijës, ishte edhe i pafat, pasi një periudhë bukur të mirë ishte i dëmtuar dhe i kishte munguar skuadrës për një periudhë më të gjatë.
Kjo ka bërë që ai të humbas vendin e tij te Vllaznia e Shkodrës, drejtuesit e së cilës skuadër po mendojnë të ndërprejnë bashkëpunimin.
Një paralajmërim për largimin e kërçovarit, është edhe mos grumbullimi i tij me skuadrën për ndeshjen e sotme kundër Skënderbeut, pavarësisht se për momentin nuk ka asnjë problem me dëmtimet apo edhe kartonët.
Është kjo një zgjidhje e vetë trajnerit Qatip Osmani, i cili si duket për pjesën e dytë të sezonit në Superligën shqiptare, gjithnjë në koordinim me Drejtorin Sportiv, Tefik Osmani, do të sjellë shumë emra të rinj, duke kërkuar që Vllazninë ta ngrisin sa më lartë në renditje.
Aktualisht, Vllaznia pas 17 xhirove të kaluara renditet në pozitën e katërt me 23 pikë, po aq sa ka edhe Tirana në pozitën e tretë. (infOSport.mk)