Një lajm bombë na vjen nga Spanja. Mediat atje kanë bërë publik lajmin, se gjigandët e Real Madrid janë shumë afër nënshkrimit me yllin e Galatasarajit, Mauro Ikardi, i cili në Madrid do të ishte transferuar që në janar të vitit që po vjen.
Ikardi po shkëlqen me fanellën e skuadrës turke, mirëpo i njëjti me siguri se nuk do të ishte kundër një transferim te Reali i Madridit, pasi në atë mënyrë do të arrinte kulmin e karrierës.
“Mbretërit” po kanë probleme në sulm, sidomos pas largimit të Karim Benzema, i cili la të zbrazur atë pozitën e sulmuesit klasik, numrit 9-të, teksa trajneri Karlo Ançeloti mendon se Ikardi do të ishte zgjidhja ideale për atë pozitë.
Për transferimin eventual të Ikardit te Reali i Madridit, kanë shkruar edhe një pjesë e mediave në Turqi, që thonë se transferimi i argjentinasit në “Bernabeu” është punë e kryer, dhe se shumë pak ka mbetur që edhe zyrtarisht të ndodh ky transferim bombë.
Ikardi te gjigandët turq erdhi verën e vitit 2022 nga PSZh, ndërsa shumë shpejtë i njëjti u shndërrua në një nga futbollistët më të dashur të tifozërisë së Galatasarajit.
Ikardi numëron 51 ndeshje me fanellën e Galatës, për të cilën skuadër ka regjistruar 40 gola, 17 prej të cilëve këtë edicion mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve.
Një rikthim i mundshëm në Europë, do të ishte një “bombë” e vërtetë, pasi i njëjti do të kishte mundësinë të kap sërish majat e futbollit europian.
Kujtojmë, Ikardi më herët kishte luajtur edhe me Sampdorian, Interi dhe Paris Sen Zhermenin, me të cilën skuadër ishte shpallur dy herë kampion, dy herë kishte fituar Kupën, dy herë SuperKupën dhe njëherë Liga Kupën e Francës.
Ai dy herë ishte shpallur golashënues më i mirë në “Serie A”, ku gjatë vitit 2018-të kishte marrë edhe çmimin e futbollistit të vitit, derisa edicionin e kaluar me Galatasarajin kishte fituar titullin kampion në Turqi, ndërsa gjithashtu me 22 golat e tij kishte qenë pjesë e formacionit më të mirë.