Një lajm i trishtë mëngjesin e sotëm na erdhi nga Kroacia, aty ku në mënyrë të papritur jetë kishte ndërruar ish futbollisti i Shkëndijës, Ivan Çelikoviq. Bëhet fjalë për një futbollistë vetëm 34-vjeçar, i cili pjesë e Shkëndijës ishte nga janari i vitit 2017-të, deri shkurtin e vitit të ardhshëm.
Ndryshe, Çelikoviq, i lindur me 10 prill të vitit 1989, karrierën e kishte nisur te Hajduku, ku kishte luajtur me grupmoshat e reja, por njëkohësisht edhe për klubin e NK Konavljanin, aty ku u rikthye të luaj sërish pas plotë 10 viteve.
Ai te skuadra e tij amë, u rikthye më 2 tetor të vitit 2022, derisa ndeshjen e tij të fundit me fanellën e NK Konavljanin e luajti më 3 dhjetor të këtij viti, në Krvavac kur me skuadrën e tij kishin shënuar fitore 2:0 ndaj ekipit të Gusar.
Paralelisht, Çelikoviq drejtonte edhe ekipin e U9-vjeçarëve të NK Konavljanin.
Gjatë karrierës së tij, kishte luajtur gjithashtu edhe me Inter Zapreshiq, nga e cila skuadër në fillim të vitit 2017-të ishte transferuar te Shkëndija, që më pas të veshë edhe fanellën e NK Lokomotivës, NK Jarun dhe së fundmi të NK Konavljanin.
Ivan Çelikoviq ishte baba i dy fëmijëve, ndërsa me fanellën e Shkëndijës i njëjti kishte zhvilluar 27 ndeshje, duke regjistruar edhe 4 asiste dhe 1 gol kundër Helsinkit në ndeshjet europiane. (infOSport.mk)