Penaltia e Struga Trim Lum në ndeshjen kundër Voska Sport, ngriti shumë pluhur në opinionin sportiv në vendin tonë. Përkundër ankesave të klubit të Voska Sport, që reagoi përmes një shkrimi të bashkëngjitur edhe me një video në faqen zyrtare në “facebook”, një reagim tjetër erdhi nga FC Shkupi, e përfshirë këtu si palë e tretë.
Pikërisht reagimi i skuadrës shkupjane ka sjellë gjatë ditës së sotme edhe një reagim nga FC Struga Trim Lum. Ata përmes faqes së tyre zyrtare kanë goditur rivalin e tyre, duke pohuar se reagimi i djeshëm nga ana e tyre ka disa probleme tepër serioze për komunitetin e futbollit në përgjithësi dhe se i prish balancat e komunikimit mes skuadrave.
Më poshtë sjellim në tërësi reagimin e skuadrës kampione në fuqi të vendit:
Deklaratë Zyrtare nga FC Struga Trim Lum
Për tifozët tanë, komunitetin e futbollit, dhe të gjithë ata që çmojnë shpirtin e lojës,
Klubi ynë është në dijeni për komentet dhe akuzat e bëra së fundmi nga klubi i FC Shkupit në lidhje me ndeshjen tonë të fundit për vendimet e marra nga gjyqtarët e ndeshjes dhe “shqetësimin” e tyre për skuadrën e FC Voska Sport. Është e drejtë e opinionit nga secili aktor, por ajo që na habiti ishte fakti që pikërisht kryesia e FC Shkupit deklarohet me ato akuza ndaj nesh, duke ditur që FC Shkupi tashmë është një klub kaq serioz.
FC Struga ka mbajtur gjithmonë standardet më të larta të sportivitetit dhe lojës së drejtë. Fokusi ynë mbetet në luajtjen e lojës që ne e duam me pasionin dhe respektin që ajo meriton.
Le t’i marrim me radhë; Reagimi i FC Shkupit ka disa probleme tepër serioze për komunitetin e futbollit në përgjithësi dhe i prish balancat e komunikimit.
- Reagimi si palë në një ndeshje të tretë, është një precedent i pandodhur më parë, që rrezikon të bëhet praktikë jo etike në raportet mes klubeve.
- Si i tillë nuk është aspak reciprok ndaj FC Strugës. Ne kurrë nuk kemi reaguar as zyrtarisht, as në media në ndeshje jo direkte.
- Reagimet që i kemi bërë kanë qenë për ndeshjet direkte edhe atë kundër referimit në episode, jo ndaj klubeve respektive.
- Nuk reaguam në një episod që mund ta shkaktonte humbjen e kampionatit në ndeshje direkte me FC Shkupin në sezonin 2022-2023.
- Etiketimi direkt FC Strugës në reagimin e faqes zyrtare të një klubi të tretë, është jo etik dhe i rrezikshëm jo veç per klubin tonë, por edhe për reputacionin e futbollit.
Gjithsesi, ne nuk do të biemi kurrë në grackën e etiketimit te klubeve, duke mos pasur arsye të forta e direkte, pa qoftë kjo edhe kunder FC Shkupit, që kryen një reagim te paprecedentë.
Ndërsa ecim përpara, angazhimi ynë për të kontribuar pozitivisht në futboll – si në fushë, ashtu edhe jashtë saj – mbetet i patundur. Ne me padurim presim ndeshjet tona të ardhshme dhe mundësinë për të vazhduar të sjellim emocion dhe gëzim për tifozët strugan.
Ju faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme.