Sileksi dhe Vardari në Kratovë në këto momente janë duke zhvilluar takimin e mbetur të javës së 15-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë , njofton “infOSport.mk”.
Të parët që shënuan në këtë ndeshje ishin mysafirët nga Shkupi, që avansuan falë golit të mbrojtësit Nenad Mishkovski, i cili përfitoi nga një rivënie nga këndi, kur gjeti në gjumë mbrojtjen vendase. Ky gol erdhi në minutën e 14-të , ndërsa vetëm 6 minuta më vonë, Sileksi barazoi shifrat në 1:1, falë super golit të shënuar me kokë nga ana e Antonio Kalanoskit.
Me këtë gol, Kalanoski për një moment na rikujtoi në gjermanin Oliver Bierhof, që shënonte gola me kokë nga distanca edhe më larg se 11-të metërshi.
Kalanoski shënoi sërish, këtë herë në minutën e 27-të , kur fillimisht goditjen e tij nga pika e bardhë e ndali portieri Gaçevski, mirëpo jo edhe tentativën e dytë të numrit 7-të të Sileksit, që në ato momente shënoi edhe golin e dytë personal, duke i dhënë avantazhin për herë të parë skuadrës së tij në këtë ndeshje.
Për dallim nga kjo ndeshje në Kratovë, ku të pranishmit patën mundësinë të shohin 3 gola, në ndeshjen mes dy skuadrave shqiptare buzë liqenit, Struga Trim Lum-Voska Sport, rrjetat po pushojnë pas 45 minutave të para. (infOSport.mk)