Ndeshjen e parë kundër Voska Sport në rolin e nikoqirit futbollistët e Struga Trim Lum do ta mbajnë mend gjatë kohë, pasi në të njëjtën fitoren e arritën vetëm në minutat e fundit të kohës shtesë, duke u pozicionuar kështu në vendin e parë para FC Shkupit.
Edhe përkundër dominimit që kishin në fushë dhe rasteve që krijonin futbollistët e Shpëtim Duros, rrjetat pushuan deri pak para fërshëllimës së arbitrit kryesor.
Derisa ndeshja kaloi gjashtë minutat e caktuara të kohës shtesë, dukej sikur ndeshja do të mbyllej me ndarje të pikëve, mirëpo falë një penaltie saktë të ekzekutuar nga Vangjel Zguro, në fund Struga Trim Lum arriti ti marrë të tre pikët.
“Fitore që erdhi fare në fund, por shumë e merituar pas gjithë asaj që ndodhi në fushën e blertë. Kemi dominuar gjithë takimin, por sot nuk ishim të mirë në finalizim, ndërsa përveç portierit, njëherë golin na e mohoi edhe shtylla. Marrë në përgjithësi do të kisha thënë se me meritë i’a dolëm të marrim pikët” – u shpreh Shpëtim Duro, i cili sot skuadrën e Struga Trim Lum e udhëhoqi për të 28-tën herë në një ndeshje kampionale, duke regjistruar fitoren e 21-të.