Struga Trim Lum ka mundur Vardarin në udhëtim me shifrat 3:1, duke u rikthyenë këtë mënyrë sërish tek fitorja, pas asaj disfate të papritur në udhëtim në Strumicë te AP Brera, shkruan “infOSport.mk”.
Ishte kjo fitorja e 10-të sezonale për kampionët në fuqi të vendit, që konfirmimin e morri vetëm pas 12 minutave të para, kur avansuan me dy gola epërsi.
Ishte Vangjel Zguro që hapi serinë e golave në këtë ndeshje, kur doli të jetë i saktë nga penaltia që në minutën e 6-të.
Nuk vonoi shumë dhe 6 minuta më pas, me anë të Hadis Tairit, Struga Trim Lum dyfishoi shifrat, përballë Vardarit në stadiumin pranë FFM-së, aty ku vazhdimisht nga tribunat dëgjoheshin sharje në adresë të futbollistëve strugan, por mbi të gjitha edhe ofendime në bazë nacionale.
Ndryshe pjesa e parë dhuroi edhe një gol tjetër, këtë herë për ekipin e Vardarit, që shënuan nga pika e bardhë me anë të serbit, Mihajlo Milosaviq.
Kështu me shifrat 2:1, u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën skuadra strugane ishte edhe më dominuese, duke mos lejuar në asnjë moment kundërshtarin të vie në shprehje.
Vetëm pas tre minutave lojë në këtë pjesë, sulmuesi Bassirou Compaore ishte shumë pranë golit, mirëpo intervenimi i Gaçevskit, nuk lejoi gëzimin e mysafirëve.
Vetëm një minutë më pas, edhe mbrojtësi Mexhit Neziri tentoi të mposht Gaçevskin, mirëpo ky i fundit sërish doli fitues, duke bërë që në ato momente të luaj rolin e heroit te Vardari, pasi arriti që të ndalë edhe goditjet e rrezikshme në minutat në vijim të kapitenit Bunjamin Shabani, pas atij kombinimi të dyfishtë me Besmir Bojkun, por edhe të Vangjel Zguros nga goditja e dënimit.
Gjithë këto raste të njëpasnjëshme para portës së vendasve, ishin paralajmërim për golin e tretë të Struga Trim Lum, që erdhi në minutën e 62-të, e ku punën më të madhe e kreu kapiteni Shabani, i cili fillimisht doli fitues përballë dyshes mbrojtëse të Vardarit, që më pas të servojë një top për Compaore, që nuk e kishte të vështirë të shënojë për rezultat 3:1.
Me këtë fitore, Struga Trim Lum numëron 30 pikë, dy më pak se dy skuadrat kryesuese, FC Shkupi dhe Shkëndija, mirëpo me kampionët në fuqi që kanë edhe një ndeshje më pak. (infOSport.mk)