Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot ka dhënë detaje për hapjen e tenderit për rikonstruimin e stadiumit të qytetit, i cili tha se do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor dhe është paraprë të përfundojë brenda 36 muajsh, shkruan Telegrafi Maqedoni.
“Komuna e Tetovës përmes Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” ka shpallur tenderin më të rëndësishëm deri më tani për Tetovën e që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve sportive, duke filluar me stadiumin kryesor të qytetit. Lënda e kontratës së prokurimit publik ka një vlerë të parashikuar prej 600.000.000 denarë pa TVSH, ose rreth 10 milionë euro. Ky projekt është shembulli konkret i përkushtimit tonë ndaj zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe krijimit të ambienteve të përshtatshme për rekreacionin e qytetarëve tanë”, – u shpreh Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ai tha se ky tender do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor 2023. Kohëzgjatja e kontratës është paraparë të jetë në një periudhë prej 36 muajsh.
“Në fazën e parë të këtij projekti monumental, është paraparë hartimi i projekti ideor për rikonstruimin e stadiumit të qytetit. Projekti ideor do të përgatitet duke respektuar standardet e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve dhe rekomandimet për ndërtimin e objekteve të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese. Po ashtu, janë marrë parasysh dispozitat e rregullores për infrastrukturën e stadiumeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Federata e Futbollit të Maqedonisë”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se përveç stadiumit të qytetit, në shpalljen tonë për kontratë janë të përfshira edhe projekte tjera të rëndësishme, duke përfshirë Qendrën Sportive dhe Rekreative të qytetit, si dhe një terren sportiv në fshatin Saraqinë.