Kukësi i sezoneve të fundit është shumë larg ekipit me të cilin jemi mësuar të shohim. Verilindorët po kalojnë një periudhë të errët me rezultate negative dhe në sezonin e fundit i shpëtuan rënies vetëm në javët e fundit të kampionatit.
Ky sezon është thuajse i njëjti, megjithëse ka disa ‘shkëndija’ shprese pas ardhjes në stol të Stavri Nicës. Mirëpo, një lajm fantastik vjen për tifozët kuksian teksa ekipi i tyre i zemrës është pranë shitjes përfundimtare.
I kontaktuar nga “Newsport.al”, drejtori i Kukësit, Naim Halili, ka pohuar faktin që klubi është pranë shitjes te pronarët e klubit kazak, Astana.
Një ofertë prej 2.5 milionë eurosh ka mbërritur në tryezën e verilindorëve dhe po punohet me detaje që kjo marrëveshje të marrë vulën përfundimtare.