Komuna e Tetovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka shpallur tenderin për rikonstruimin e stadiumit të qytetit.
Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, lënda e kontratës së prokurimit publik është ndërtim dhe rikonstruim i objekteve sportive, ndërkaq vlera e parashikuar është 600.000.000 denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro.
Sipas tenderit punimet duhet të mbarojnë brenda 3 viteve, ashtu që Shkëndija e Tetovës sezonin 2026/27 mund ti luaj për herë të parë para publikut tetovar ndeshjet e saj europiane.
Ndërkohë Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami përmes profilit të tij zyrtarë në facebook, është lëvdëruar se e ka mbajtur fjalën e dhënë para qytetarëve lidhur me stadiumin, duke pasur parasysh se e gjithë Tetova jeton për futboll, apo më mirë thënë jeton për Shkëndijën.
“ Mbajmë fjalën e dhënë, sepse premtimet tona nuk janë vetëm fjalë boshe. Në vetëm dy vjet qeverisje realizojmë atë që të tjerët me dekada nuk arritën ta bëjnë! Tetova me stadium modern!”, ka shkruar Kasami në Facebook.