Përfaqësuesja e Kosovës mbrëmë befasoi me lojë të mirë dhe në fund një barazim 1:1 me Zvicrën në Bazel, pavarësisht se trajneri Primozh Gliha luajti me një formacion të kombinuar.
Plotë 3 titullarë erdhën nga kampionati kosovar, ndërsa rezervisti Muhamt Hyseni i Llapit, doli të jetë heroi i “Dardanëve”, duke shënuar golin e barazimit ndaj Zvicrës së Shaqirit dhe Xhakës.
Ky rezultat ka lënë të kënaqur të gjithë nga stafi i përfaqësueses së Kosovës, përfshirë këtu edhe ndihmësin e Gliha, Arbnor Morinën, i cili përgëzoi lojtarët për atë që treguan në fushën e blertë, duke dëshmuar se si mbrohen ngjyrat e një shteti.
“Edhe një ndeshje e vështirë dhe me kombinime rreth formacionit, por që po dëshmon se këta të gjithë po dojnë me dhanë atomin e fundit të forcës dhe dijes për ti mbrojtur ngjyrat e shtetit. Lojë me kundërshtarë të fuqishëm, por pa hjekë dorë nga aspirata për rezultat pozitiv dhe që në fund u arrit. Ni bravo e madhe për të gjithë dhe uroj që në takimin e fundit djemt ti gëzohen fitores dhe të na vbëjnë krenarë si gjithmonë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” nga Bazeli, Arbnor Morina.
Kosova pas 9 xhirove në grupin “I” mban pozitën e katërt me 11 pikë. Ndeshjen e fundit “Dardanët” do ta zhvillojnë kundër Bjellorusisë me 21 nëntor (e martë). (infOSport.mk)