Kombëtarja shqiptare do të përballet me Moldavinë nesër në orën 18:00 për të zhvilluar ndeshjen e parafundit të grupeve në kuadër të eliminatoreve për Euro 2024. Kombëtares shqiptare i nevojitet vetëm një pikë për të siguruar matematikisht ëndrrën e kualifikimit në Gjermani.
Sylvinho ka stërvitur djemtë e Kombëtares në seancën e fundit stervitore dhe në mendjen e tij tashmë e ka ndarë formacionin startues për ndeshjen kundër Moldavisë.
Ekipi që fiton, nuk ndryshon, dhe kështu braziliani do t’i besojë sërish formacionit tipik që e solli deri këtu.
Berisha në portë dhe 4-shja para tij e formuar nga Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj.
Në mesfushë Asllani dhe Ramadani e para tyre tetovari, Nedim Bajrami.
Shkupjani Jasir Asani në të majtë, ndërsa djathtas do të jetë sërish kumanovari, Taulant Seferi. Pozita e bomberit do t’i besohet sërish veteranit Sokol Cikalleshi.