Dy fitoret e fundit ndaj ish kampionëve të vendit, Vardarit dhe Shkëndijës, kanë ngritur edhe më lartë vetëbesimin te skuadra e Struga Trim Lum, skuadër kjo që të shtunën do të përballet me AP Brera në Strumicë, njofton “infOSport.mk”.
Në prag të këtij takimi shumë të vlefshëm për kampionët e vendit, ka folur sulmuesi kryesor Besart Ibraimi, i cili kërkon vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
“Jemi në një moment shumë të mirë, sidomos pas asaj fitore ndaj Shkëndijës. Atmosfera në grup është e shkëlqyer, ka shumë pozitivitet në skuadër, ashtu që shpresoj një ambient i tillë të vazhdojë edhe pas ndeshjes me AP Brera. E respektojmë kundërshtarin, mirëpo nëse luajmë sikurse në ndeshjen e fundit, me përkushtim maksimal dhe dëshirë të njëjtë, besoj se edhe nga Strumica do të rikthehemi me rezultat pozitiv” – u shpreh Besart Ibraimi, i cili nuk fsheh apetitet e tij, duke kërkuar sërish kreun e tabelës me Struga Trim Lum, me të cilën skuadër edicionin e kaluar u shpall kampion.
“Pas fitoreve në ndeshjet e fundit ndaj Vardarit dhe Shkëndijës, sigurisht që e duam kreun e tabelës, edhe pse neve si skuadër marrim ndeshjet një nga një dhe besojmë se me një përkushtim, me shumë disciplinë dhe angazhim maksimal, mundet që sërish të jemi konkurrent serioz për titullin e kampionit” – përfundoi Ibraimi, i cili këtë edicion në Ligën e Parë në 11 ndeshje të zhvilluara ka regjistruar 6 gola dhe 4 asistime.