Takimi midis Rabotniçkit dhe FC Shkupit, ishte takimi i vetëm që u anulua sot nga gjithsej 4 takimet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë, shkruan “infOSport.mk”.
Reshjet e dendura të shiut, bënë që fusha e stadiumit në Maxhari të mos ofrojë kushte për lojë, ashtu që arbitri kryesor në konsultim me delegatin e ndeshjes, por edhe kapitenët e të dyja skuadrave, duke konfirmuar një gjë të tillë, vendosën që të njëjtën ta anulojnë.
Ndërkohë nga FFM, njoftuan se e njëjta do të zhvillohet nesër (e enjte) me fillim në ora 13:00 në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë kompleksit sportive të Federatës së Futbollit vendor.
Poashtu nga FFM, njoftuan se ndeshja midis Rabotniçkit dhe FC Shkupit do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, vendim ky që me siguri nuk është se ka hasur në mikëpritje nga ana e tifozëve të FC Shkupit, që njihen si një ndër tifozëritë më të flakta në vend, dhe se e përkrahin skuadrën e tyre në çdo ndeshje, pavarësisht se ku luan.
Kështu nesër fituesi nga ndeshja Rabotniçki-FC Shkupi do të përcaktojë edhe emrin e fundit të skuadrave gjysmëfinaliste, aty ku tashmë bëjnë pjesë, Voska Sport, Makedonija GJ.P dhe Tikveshi.
Voska Sport dhe Makedonija GJ.P regjistruan fitore minimale 1:0, përballë Bregallnicës, gjegjësisht Sileksit, ndërkohë Tikveshi vetëm përmes ruletit të penaltive eliminoi skuadrën e AP Brera, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me barazim 1:1. (infOSport.mk)