Alen Jasharovski doli të jetë heroi i skuadrës së Voska Sport në takimin e sotëm çerekfinal kundër Bregallnicës në Shtip, pasi i njëjti shënoi golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën shqiptare nga Ohri, që në këtë mënyrë shkruan histori, njofton “infOSport.mk”.
Jasharovski, morri gjithë vëmendjen në këtë takim, pasi i njëjti gjatë pjesës së parë kishte goditur shtyllën e vendasve, derisa në minutën e 70-të, me kokë nga një distancë prej 14 metrash shënoi një super gol.
“Jam shumë i lumtur për këtë sukses të madh, këtë sukses historik të Voska Sport, skuadër kjo që për herë të parë do të luaj në një gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë. Gjithsesi se jam shumë i lumtur për golin e shënuar, për më tepër që i njëjti edhe vendosi fatin e këtij takimi.” – është shprehur Alen Jasharovski për faqen zyrtare të klubit nga Ohri.
Ai gjithashtu ka zbuluar se kujt i’a dedikon këtë gol, me të cilin Voska Sport do të luaj në gjysmëfinale.
“Golin i’a dedikoi Verim Kabës, i cili më jep shumë përkrahje në secilën ndeshje, kudo që të luajmë, por kuptohet edhe gjithë tifozëve të Voska Sport, që gjithnjë janë pranë nesh dhe me siguri se edhe ata janë pjesë e këtij suksesi historik” – ka thënë Jasharovski, i cili rezulton të jetë golashënuesi i dytë te Voska Sport, pas malazezit Aleksa Marushiç.
Ky i fundit gjithashtu luajti rolin e tij në takimin e sotëm kundër Bregallnicës, pasi një faul i shkaktuar ndaj tij në minutën e 48-të, bëri që portieri vendas Novakov të ndëshkohet me karton të kuq. (infOSport.mk)