Vetëm dy pikë në tre ndeshjet e fundit si dhe eliminimi nga Kupa e Maqedonisë, kanë bërë që Ardian Nuhiu të mos ndjehet i rehatshëm në bankinën e Shkëndijës së Tetovës, pavarësisht se kjo skuadër ndodhet në pozitën e tretë dhe vetëm 3 pikë larg kryesuesit të tabelës së klasifikimit, FC Shkupit.
Zërat që vijnë nga Tetova thonë se Artim Shaqiri pritet të rikthehet sërish te Shkëndija, mirëpo vetëm në rolin e trajnerit. Një gjë e tillë do të ndodhte vetëm pas pauzës në kampionat, për shkak ndeshjeve të përfaqësueses së Maqedonisë, ashtu që Nuhiu me shumë gjasa si trajner i Shkëndijës, këtë skuadër do ta udhëheq vetëm edhe në ndeshjen kundër Tikveshit me 11 nëntor.
Megjithatë, këto janë vetëm zëra, derisa brenda klubit mbizotëron një qetësi si zakonisht, pavarësisht pakënaqësive.
Artim Shaqiri nuk është një emër i panjohur për publikun tetovar, pasi i njëjti skuadrën e Shkëndijës e ka udhëhequr në dy periudha të ndryshme.
Strugani 50-vjeçar, Shkëndijën e ka drejtuar në gjithsej 50 ndeshje, duke regjistruar 22 fitore, 14 barazime dhe 14 disfata. Statistika jo edhe aq të mira, mirëpo të arritura në kohë të ndryshme.
Rikujtojmë, Artim Shaqiri fillimisht kishte udhëhequr Shkëndijën nga 23 gushti i vitit 2012, deri korrikun e vitit 2013-të, ndërsa herën e dytë ishin bashkë nga data 5 prill deri më 5 shtator të vitit 2022, kur edhe për herë të parë luajti në ndeshjet europiane, më saktësisht në Ligën e Konferencës, aty ku edhe u eliminua në raundin e tretë nga suedezët e AIK Stokholm përmes ruletit të penaltive.