Mazrekaj: Do na mjaftonte edhe një fitore minimale

Mentor Mazrekaj të dielën kundër Makedonija Gj.P gjeti golin e parë me fanellën e Struga Trim Lum në kampionatin e Maqedonisë. Kjo gjë ka kënaqur mesfushorin nga Kosova, i cili ka folur në prag të takimit të nesërm kundër Voska Sport, i vlefshëm për ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës.

Mazrekaj do të ishte i kënaqur edhe me një fitore minimale, si ajo në kampionat, mirëpo këtë herë duke shpresuar që të arrijnë tek fitorja më lehtë.

“Shpresojmë të përsërisim rezultatin nga ndeshja e fundit në kampionat, në të cilën shënuam fitore minimale. Megjithatë shpresoj që këtë herë do të fitojmë më lehtë, pasi realisht në atë ndeshje kampionale vuajtëm deri në fund të takimit. Mirëpo duke pasur parasysh se kjo është ndeshje e Kupës dhe zhvillohet vetëm një ndeshje, atëherë edhe një gol, si ai në kampionat do na kryente punë.” – u shpreh Mentor Mazrekaj në prag të takimit të nesërm kundër Voska Sport.

Ai gjithashtu foli edhe për golin e parë të shënuar me Struga Trim Lum në një ndeshje zyrtare.

“Jam shumë i lumtur për golin e shënuar në ndeshjen ndaj Makedonija Gj.P. Për mua ishte goli i parë në Kampionatin e Maqedonisë, ashtu që shpresoj të bëjë sa më shumë gola, me të cilët do e ndihmoja skuadrën në arritjen e objektivave gjatë këtij viti” – përfundoi Mazrekaj, i cili nesër kundër Voska Sport do të zhvillojë takimin e tij të 19-të me fanellën e Struga Trim Lum dhe të parin në kuadër të ndeshjeve të Kupës, duke pasur parasysh se skuadra strugane ishte e lirë në raundin e parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply