Strugani Isnik Alimi me “dopietë” ndihmon Sepsin për të mundur Botosanin (VIDEO)

Strugani Isnik Alimi, i cili tashmë mbron edhe ngjyrat e përfaqësueses së Maqedonisë, doli të jetë një prej futbollistëve më të merituar te skuadra e Sepsi, që në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit rumun, mundi ekipin e Botosanit, njofton “infOSport.mk”.

Alimi realizoi dy gola në fitoren 5:2 të skuadrës së tij, që tashmë me 15 pikë renditet në pozitën e 10-të.

Fillimisht Alimi u ndëshkua me të verdhë në minutën e 18-të, që më pas nga pika e bardhë në minutën e 38-të, të shënojë edhe golin e tij të parë dhe të dytin për Sepsin në këtë ndeshje. Po nga penaltia Botosani 3 minuta më vonë barazoi shifrat në 2:2, rezultat ky me të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Pjesa e dytë nisi me gol nga ana e rezervistit Aganoviç, i cili shënoi vetëm pas dy minutave të kaluara në fushë, derisa në minutën e 66-të, Alimi sërish doli në skenë duke shënuar golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin e Sepsi.

Rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Sepsi 5, Botosani 2, e vendosi mesfushori Ion Georghe 5 minuta para fundit të takimit.

Me këto dy gola të shënuar sonte, Alimi arrinë në shifrën e 4 golave në 12 ndeshje të zhvilluara në kampionatin elitar të Rumanisë, ndërsa 3 gola të tjerë këtë edicion ka realizuar edhe në 6 ndeshjet e tij në kuadër të Ligës së Konferencës.

Kujtojmë, Alimi së fundmi është grumbulluar me përfaqësuesen e Maqedonisë, për të cilën tashmë numëron 3 ndeshje. (infOSport.mk)

Leave a Reply