Arbitrja shqiptare nga Gostivari, Vjollca Izeiri që mban edhe stemën e FIFA-s, sërish ka marrë besimin nga UEFA që të referoj në ndeshje në kuadër të Ligës më prestigjioze europiane në konkurrencë të femrave, Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.
Ajo së bashku me kryesoren Ivana Projkovska dhe ndihmësen tjetër Elena Sokleska-Ilievski, si dhe arbitren e katërt, Irena Velevackovska-Ristevski, do të drejtojnë ndeshjen e kthimit derbi të Ligës së Kampionëve në konkurencën e femrave ndërmjet PSZh-së dhe Mançester Junajted.
Ndeshja në fjalë do të luhet me datë 18 tetor (e mërkurë) nga ora 20:00 në stadiumim “Parc de Princes” në Paris, me ekipin parisien që do të tentojë kualifikimin për më tej, pas atij barazimi 1:1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Angli.
Vlen të permendet që referja shqiptare nga Gostivari, Vjollca Izeiri më herët ka referuar edhe ndeshje tjera të nivelit të lartë si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në nivel të kombëtareve.
Për shqiptaren Vjollca Izeiri nga Gostivari ky delegim është dëshmi shtesë për ngritjen e nivelit të saj, duke arritur të bëhet ndër arbitret femra më të mira në rrafshin mbarëkombëtar, por njëkohësisht ky fakt paraqet mirënjohje edhe për Federatën e Futbollit të Maqedonisë, për kujdesin që tregon për edukimin dhe avansimin e referëve.
Kujtojmë, gjatë këtij viti kjo katërshe e arbitreve me në krye Projkovskën, kishin referuar edhe ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve (edicioni 2022/23), midis Bajernit të Munihut dhe Arsenalit, ndeshje kjo që ishte zhvilluar në “Allianc Arena” në praninë e 20 mijë spektatorëve. (infOSport.mk)