Derbi ndeshja e xhiros së tretë mids FC Kull dhe KF Studeniçanit në kuadër të Ligës Komunale të Kisella Vodës, është mbyllur me barazim 3:3, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Cementarnicës, rezultoi të jetë me shumë kthesa në rezultat, ku të parët në avantazh kaluan mysafirët nga Studeniçani.
Luhej minuta e 9-të, kur Sadri Aliu pasi pranoi një top në krahun e majtë, shënoi një eurogol të vërtetë, duke kaluar në avantazh skuadrën e KF Studeniçanit, skuadër kjo që megjithatë në pushim shkoi me disavantazh, pasi Milan Ristevski me dy gola të shpejtë në 5 minutat e fundit të takimit doli në skenë.
Sidomos vlen të theksohet goli i parë i Ristevskit, i cili shënoi nga gjysmëfusha, ndërsa pak minuta më vonë realizoi një tjetër gol të bukur me kokë për rezultat 2:1.
Pavarësisht këtij avantazhi, futbollistët e KF Studeniçanit u rikthyen në lojë, duke përmbysur gjithçka, falë golave të shënuar nga Muzafer Ejupi dhe Fatih Jusufi.
Ejupi është një emër i njohur në futbollin vendor, pasi i njëjti më parë kishte luajtur me Vardarin, Metalurgun dhe Shkëndijën, ndërsa tashmë ka vendosur të ndihmojë ekipin e vendlindjes së tij, KF Studeniçanin. Goli i tij në minutën e 62-të i solli barazimin skuadrës mike në këtë ndeshje, ndërsa falë golit të Fatih Jusufit në minutën e 73-të, KF Studeniçani për herë të dytë në këtë ndeshje kaloi në epërsi.
Megjithatë deri në fund të takimit, vendasit arritën të shënojnë dhe të barazojnë shifrat, falë Milan Ristevskit, i cili në minutën e 87-të nga penaltia shënoi edhe golin e tretë personal, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, FC Kull 3, KF Studeniçani 3.
Pas 3 xhirove të para KF Studeniçani renditet në pozitën e katërt me 4 pikë, por edhe një ndeshje më pak, derisa FC Kull me 7 pikë mban pozitën e tretë. Dy pozitat e para kryesohen nga Sloboden dhe Tekstilec, që kanë pikë maksimale, 9 pikë. (infOSport.mk)