Kombëtarja shqiptare do të pushojë në raundin e tetë të ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për grupet e Europianit, “Gjermani 2024”.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se të përzgjedhurit e trajnerit Silvinjo nuk do të jenë të angazhuar.
“Kuqezinjtë” të martën, në orën 18:00, do të luajnë një ndeshje miqësore me Bullgarinë, takim i cili do të luhet në stadiumin “Air Albania”.
UEFA ka vendosur që ky test për “kuqezinjtë” të drejtohet nga një treshe arbitrësh nga Kosova.
Mervan Bejtullahu do të jetë arbitri kryesor i takimit, i cili do të ndihmohet nga dy asistentët e tij, Fatmir Sekiraqa dhe Edmond Zeqiri. Arbitër i katërt në këtë ndeshje miqësore është përzgjedhur arbitri i kolegjiumit të Tiranës, Erjon Bastari.
Në takime të tilla miqësore, në përgjithësi nuk përdoret sistemi VAR, kështu gjithë barra e vendimeve në duelin Shqipëri-Bullgari do të bie mbi trupën e arbitrëve nga Kosova.