Voska Sport në kuadër të xhiros së 10-të në Ligën e Parë regjistroi fitore 2:1 ndaj Makedonija GJ.P., duke ndërprerë në këtë mënyrë serinë prej 4 disfatave të njëpasnjëshme. Kjo fitore ka kënaqur trajnerin e skuadrës shqiptare nga Ohri, Miljan Radoviç, i cili në prononcimin e tij për faqen zyrtare të klubit kishte thënë se është e rëndë të fitosh pas një serie të tillë disfatash, por që vazhdimisht beson te ekipi, me të cilin mund të bëjë më mirë në vazhdim të kampionatit.
“Një ndeshje e mirë, një fitore e mirë do të kisha thënë. Normalisht ishte e rëndë, sidomos pas atyre disfatave, është e rëndë të fitosh ndeshje, mirëpo ja arritëm qëllimit, luajtëm mirë, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën, kemi pasur rënie të vogla në lojë, mirëpo kjo është normale për ndeshje të këtilla kur keni disa disfata të njëpasnjëshme, ashtu që vjen momenti kur jemi të detyruar që të fitojmë. Ja arritëm qëllimit, tashmë pason pauzë në kampionat, por shpresojmë të vazhdojmë me serinë e fitoreve, duke u përgatitur edhe më mirë për ndeshjen e rradhës që na pret” – është shprehur Miljan Radoviç, nën drejtimin e të cilit Voska Sport, regjistroi fitoren e tretë sezonale, pas së cilës vazhdon të mbetet në pjesën e rrezikshme të tabelës së klasifikimit me 10 pikë të tubuara, vetëm një më pak se Makedonija GJ.P, që mban pozitën e 9-të. (infOSport.mk)