Shkëndija fiton kampionët e Strugës dhe merr kreun e tabelës (VIDEO)

Struga Trim Lum ka pësuar disfatë minimale në udhëtim te Shkëndija në Tetovë, ndeshje kjo që i takonte xhiros së dytë, e që u zhvillua vetëm sot për shkak ndeshjeve që skuadra kampione e vendit tonë i zhvillonte në Europë në atë periudhë kur kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohet me datë 13 gusht.

Në një ndeshje tipike kampionale, me raste nga të dyja anët, Shkëndija shfytëzoi momentin në fillimin e pjesës së dytë, kur me anë të boshnjakut Almir Aganspahiç shënoi në rrjetën e Vedran Qoshevskit.

Ndryshe gjatë pjesës së parë vlen të theksohen edhe disa intervenime të shkëlqyeshme të portierit strugan, por edhe disa raste të miqve nga Struga, që në pjesën e dytë luajtën më mirë, duke krijuar më shumë raste, mirëpo pa sukses, pasi finalizimi i tyre ishte i dobët.

Mirëpo edhe pse Struga Trim Lum luajti më mirë në këtë pjesë, ishin vendasit e Shkëndijës që shënuan golin e vetëm dhe të fitores në këtë pjesë, edhe atë vetëm pas dy minutave jo të kaluara.

Pas këtij goli, Struga Trim Lum tentoi përmes Radeskit, Shabanit, Mazrekajt dhe Kamberit, ndërsa vlen të theksohet se rastet më të mira për të barazuar shifrat i kishin Kamberi në minutën e 60-të dhe Shabani në minutat shtesë të takimit, kur goditjen e tij të shkëlqyer, në mënyrë bravuroze, portieri vendas, Taleski e devijoi në rivënie nga këndi.

Me këtë fitore, e 6-ta nga gjithsej 9 ndeshje, Shkëndija rikthehet në krye të tabelës së klasifikimit me 20 pikë, dy më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë, derisa Struga Trim Lum me 15 pikë dhe një ndeshje më pak renditet në pozitën e katërt. (infOSport.mk)

Leave a Reply