Struga Trim Lum fiton derbin e parë shqiptarë buzë liqenit  (VIDEO)

Struga Trim Lum ka dalë fituese e derbit të parë të Liqenit, duke mundur Voska Sport në Ohër me rezultatin minimal 1:0. Në një ndeshje jo edhe aq të bukur për sy, sidomos kjo vlen për pjesën e parë, golin e fitores për kampionët e vendit, e realizoi sulmuesi Marjan Radeski në minutën e 86-të, njofton “infOSport.mk”.

Ndryshe, pjesa e parë u zhvillua me një tempo shumë të ulët, me shumë gabime nga ana e të dyja skuadrave, me shumë taktizime, e ku si pasojë munguan edhe rastet e pastërta për gol.

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime në rradhët e Struga Trim Lum dhe një tek skuadra vendase e Voska Sport. Trajneri i vendasve, Milan Radoviç nga loja largoi të riun Alban Shabani, ndërsa në vend të tij inkuadroi Filip Todoroskin.

Në anën tjetër trajneri i Struga Trim Lum, Shpëtim Duro, duke kërkuar një skuadër më kërkuese, vendosi që në lojë të inkuadrojë sulmuesin nga Burkina Faso, Campaore dhe Bekim Kamberin, autorin e golit të vetëm në fitoren 1:0 në fundjavë ndaj Rabotniçkit, ndërsa nga loja vendosi të largojë Hristijan Georgievskin dhe Edis Malqin e ndëshkuar.

Me këtë dyshe, Struga Trim Lum ishte më kërkuese në repartin e sulmit, teksa në minutën e 73-të shumë pak mungonte që Compaore të shënojë, mirëpo ishte i shkurtër në tentativën e tij për të reaguar para portës kundërshtare.

10 minuta më vonë Mexhit Neziri me një predhë të vërtetë nga rreth 30 metra vuri në mjaft vështirësi portierin vendas, Burhan Mustafa, i cili pati shumë fat menjëherë në aksionin e rradhës, kur sërish Neziri, këtë herë pas një rivënie nga këndi goditi me kokë, mirëpo për vetëm disa centimetra skaj shtyllës.

Këto dy tentativa të Nezirit, ishin paralajmërim për atë që ndodhi në minutën e 86-të, kur edhe Struga Trim Lum shënoi golin e fitores, që erdhi sërish pas një rivënie nga këndi.

Ibraimi harkoi brenda zonës, aty ku Compaore në pamundësi për të goditur, bëri një asist për Radeskin, i cili me kokë shënoi golin e avantazhit, që në fund u tregua i mjaftueshëm për tre pikët e plota.

Me këtë fitore Struga Trim Lum tashmë renditet në pozitën e dytë me 15 pikë, vetëm një pikë më pak se Shkëndija, skuadër kjo që ka edhe një ndeshje më shumë. (infOSport.mk)

Leave a Reply