Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Andi Lila në një intervistë për “Euroneës Albania”, tha se të gjithë futbollistët më të mirë që kanë gjak shqiptari, duhet të veshin fanellën “kuq e zi”.
Sipas tij në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët, edhe në Kosovë, Maqedoni të Veriut apo Mal të Zi, ata më të talentuarit duhet të përfaqësojnë Shqipërinë.
“I kërkoj ndjesë Kosovës, por unë jam një ish-futbollist i ekipit kombëtar dhe do të doja që gjithë futbollistët më të mirë, jo vetëm Kosovë, Shqipëri, në viset ku jetojnë shqiptarët, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, më të mirët duhet të vijnë për Shqipërinë. Shqipëria në 8 vite, po bëhet hera e dytë që po merr pjesë në një kampionat europian, pra është shumë, jemi në rrugën më të mirë të mundshme”.
“Edhe futbollistët në diasporë, nuk do doja kurrsesi për shembull që brezi i dytë ose i tretë që po rritet jashtë Shqipërisë të zgjidhte për shembull përfaqësuesen e Anglisë. Për shembull, ka shumë të rinj të talentuar që po rriten në Angli, duhet të vijnë të luajnë të gjithë për Shqipërinë, edhe ato që kanë nënën shqiptare dhe babain brazilian po themi ose nuk e di çfarë e kanë. Pra futbollistët më të mirë që kanë një gjak shqiptari duhet të vijnë të përfaqësojnë shqiptaren kuq e zi,” – u shpreh Lila.