Fitore me aromë Europiani për Shqipërinë (VIDEO)

Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një ndër fitoret më të rëndësishme në kuadër të eliminatoreve për Euro 2024, duke mundur një nga konkurrentët kryesor, Poloninë me rezultatin 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Para tribunave të stërmbushura me shqiptarë nga të gjitha trojet, Shqipërinë sonte e nderuan shkupjani, Jasir Asani dhe gjilanasi, Mirlind Daku.

Që të dy shënuan nga një gol në secilën pjesë, e ku vlen të theksohet goli i parë i shënuar nga Asani në minutën e 38-të, kur me të majtën e tij bombardoi portën e Shceznit, nga një pozitë mjaft e vështirë, por që tashmë jemi mësuar ta shohim shkupjanin të shënojë nga pozita të tilla, pasi goli i sontëm, ishte një kopje e atij debutues ndaj Moldavisë.

Për Asanin ishte ky goli i dytë në ndeshjen e tij të 5-të, me fanellën “kuqezi”, ku ka regjistruar edhe dy asistime, duke konfirmuar formën e tij të mirë, por edhe vendimin e qëlluar të seleksionuesit, Silvinjo, për të ftuar në kombëtare futbollistin shkupjan.

I qëlluar si duket ka dalë edhe grumbullimi në kombëtare i Mirlind Dakut, i cili njëjtë sikurse Asani, golin debutues me fanellën e Kombëtares shqiptare e gjeti në ndeshjen e tij të dytë. Futbollisti me origjinë nga Gjilani i Kosovës, debutoi ditë më parë në ndeshjen ndaj Çekisë, ndërsa sot shënoi vetëm disa sekonda pas inkuadrimit të tij në lojë në minutën e 62-të.

Daku pranoi një top mjaft të mirë nga Ramadani nga krahu i djathtë aty në shtyllën e parë, ku pasi qetësoi topin, arriti të gjejë edhe hapësirën e mjaftueshem për të goditur, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke çmendur në ato momente të pranishmit në “Air Albania”.

Goli i Dakut doli të jetë i fundit i këtij super takimi të zhvilluar në Tiranë, aty ku Polonia kishte shënuar e para, mirëpo goli i Kivior në minutën e 21-të ishte anuluar për shkak pozitës jashtë loje.

Pas këtij goli, Shqipëria morri nën kontroll lojën, ndërsa paralajmërimi i fitores erdhi pas goditjes së fuqishme të Kristjan Asllanit, që kishte përfunduar vetëm mbi portë, por që vetëm pas pak minutash i njëjti iu gëzua golit të shkupjanit, Jasir Asani.

Falë fitores së sotme, Shqipëria tashmë udhëheq renditjen tabelare në grupin “E” eliminatorë për kualifikim në Europianin e vitit 2024.

Pas 5 ndeshjeve të zhvilluara “kuqezinjtë” numërojnë 10 pikë, dy më shumë se Çekia e vendit të dytë dhe Moldavia, që gjithashtu numëron 8 pikë në vendin e tretë, ndërkohë Polonia me 6 pikë, tashmë renditet në pozitën e katërt.

Ndeshjen e rradhës, Kombëtarja shqiptare do ta zhvillojë sërish në “Air Albania” në Tiranë, kundër Çekisë, ndeshje kjo që në program është me datë 12 tetor. Një fitore eventuale e “kuqezinjëve” në atë ndeshje, do të ju hapte dyert atye drejt Europianit të vitit të ardhshëm, që do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. (infOSport.mk)

Leave a Reply