KF Gostivari nuk ka ndërmend të ndalet, kur janë në pyetje prurjet e reja te kjo skuadër për sezonin 2023/24 në elitën e futbollit vendor.
Pasi disa orë më parë prezantuan futbollistin e deridjeshëm të FC Shkupit, Angelçe Timovskin, ata nuk ka vonuar shumë dhe kanë paralajmëruar edhe transferimin e sulmuesit nigerian, Lanre Kehinde.
Bëhet fjalë për një sulmues shtatëlartë, i cili pjesën më të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar në Izrael dhe Turqi, ndërsa gjithashtu kishte pasur një aventurë të shkurtër edhe në futbollin palestinez dhe atë të Koresë së Jugut, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Inçeon Junajted.
Kehinde së fundmi ishte pjesë e skuadrës Hapoel Nof HaGalil nga Izraeli, aty ku numëron 23 ndeshje dhe 11 gola.
Kehinde me Gostivarin pritet të nënshkruajë kontratë deri në fund të sezonit, njëjtë sikurse edhe Angelçe Timovski, i cili shkurt për “infOSport.mk”, pas nënshkrimit të kontratës, u shpreh: “Kishte interesim nga Gostivari edhe më herët, mirëpo deri tek transferimi erdhi vetëm tash. Ata kanë një projekt të mirë, ashtu që shpresojmë të kapim Europën”.
Timovski edhe pse ishte i lidhur me FC Shkupin, i njëjti me pëlqim të dyanshëm ka prishur kontratën me skuadrën nga Çairi, duke veshur fanellën e Gostivarit, skuadër kjo që në 5 ndeshjet e deritanishme, ka regjistruar vetëm një fitore dhe aktualisht ndodhet në pozitën e parafundit me vetëm 3 pikë të tubuara. (infOSport.mk)