Struga Trim Lum ka mbyllur aventurën më të suksesshme europiane (VIDEO)

Struga Trim Lum ka mbyllur aventurën europiane, teksa sot është mundur edhe në ndeshjen e kthimit nga skuadra përfaqësuese e Islandës, Breidablik. 1:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë edhe në tokën islandeze, njëjtë sikurse edhe një javë më parë në Ohër, që nënkupton eliminim në fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës me rezultat të përgjithshëm 0:2.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Kópavogsvöllur përballë tribunave të plota dhuroi shumë emocione, ndërsa shanset dhe ëndërra e futbollistëve të Struga Trim Lum për një kalim të mundshëm në grupet e Ligës së Konferencës, u kufizuan nga një gol i hershëm.

Ende pa u rrumbullaksuar minuta e tretë, Qoshevski duheshe të nxjerrë sferën nga rrjeta e tij, që në fund ishte edhe vendimtare për eliminimin e skuadrës tonë nga garat europiane.

Golin e vetëm në takimin e sotëm për ekipin islandez e realizoi Einarsson, ndërsa përkundër disa tentativave, sidomos në pjesën e dytë, Struga Trim Lum nuk arriti të gjejë golin e barazimit.

Shumë afër golit të barazimit kampionët e vendit tonë ishin në minutën e 55-të, kur fillimisht tentativa e Ibraimit u devijua në rivënie nga këndi, e më pas Sava Radiç të tentojë të shënojë me kokë.

Realisht në ato momente edhe fati nuk ishte me ekipin strugan, pasi një gol i shënuar në atë periudhë kohore do të ju jepte atyre më shumë moral dhe vetëbesim, i cili nuk mungoi deri në fund të takimit, por që fatkeqësisht nuk arritën që ta kurorëzojnë me gol në rrjetën e islandezëve. Lirisht mund të thuhet se sonte kundër Breidablik, mungesa e Marjan Radeskit në vijën e sulmit ishte shumë e rëndësishme, kjo pasi mbrojtja e skuadrës islandeze mjaft mirë kishte markuar sulmuesin e vetëm Besart Ibraimi, për të cilin munguan topat brenda, apo edhe afër zonës së rrezikut.

Kështu pas gjithsej 8 ndeshjeve europiane, 6 prej të cilëvë në Ligën e Konferencës, Struga Trim Lum përshëndetet me Europën, mirëpo në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi është kjo një ndër arritjet më të mëdha për këtë skuadër, që falë kësaj përvoje të mirë, shpresojnë të rikthehen edhe më të fuqishëm në kampionat, përmes të cilit sërish do të synojnë arenën ndërkombëtare.

Të hënën në kuadër të xhiros së 6-të, ekipi i Shpëtim Duros në Strugë do të mirëpret Tikveshin. (infOSport.mk)

Leave a Reply