Vazhdon kaosi te Gostivari, pas Gjurgjeviç, Mehmedoviç dhe Tanushev, largohen edhe 4 titullarë të tjerë

Situata te Gostivari assesi të qetësohet. Kjo ndoshta edhe si rrjedhojë e startit të dobët, ku kjo skuadër që mendohej të jetë në mesin e skuadrave pretendente për vetë kreun e tabelës, lidhi tre disfata të njëpasnjëshme, duke u renditur vetëm në pozitën e fundit pas 3 xhirove të para.

Pak para ndeshjes së fundit kundër Bregallnicës në Shtip, nga kjo skuadër u larguan Fahrudin Gjurgjeviç, Zehrudin Mehmedoviç dhe Gjorgji Tanushev, ndërsa ky ekzodus ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ku jo zyrtarisht mësojmë se me këtë skuadër aventurën e tyre e kanë mbyllur edhe 4 futbollistë tjerë titullarë, të ardhur gjatë merkatos së verës.

Fjala është për Amir Bilalin, Ediz Spahiun, Mustafa Mujezinoviç dhe Remzifaik Selmani. Pikërisht Selmani ishte përforcimi më i fundit i Gostivarit, para Muhamed Elmas, të cilin e prezantuan vetëm pas fillimit të sezonit të ri.

Selmani, madje shënoi golin e parë dhe të vetëm të Gostivarit këtë edicion në ndeshjen e fundit kundër Bregallnicës.

Të mërkurën Gostivarin e pret përballja me Rabotniçkin në Gostivar, ndërsa pas gjithë këtyre largimeve mbetet të shihet se si do të rendit në fushë skuadrën e tij trajneri turk, Murat Daban. (infOSport.mk)

Leave a Reply