Nderim Nexhipi ka bërë zgjedhjen e tij të parë te KF Manisa, aty ku po e luan rolin e Drejtorit Sportiv. Nexhipi, duke njohur cilësitë e Meriton Korenicës, nga koha kur ishte pjesë e FC Ballkanit, ka bindur mesfushorin e skuadrës kampione të Kosovës për t’iu bashkuar KF Manisës në Ligën e Parë turke, njofton “infOSport.mk”.
Korenica tashmë disa vite me rradhë është një ndër futbollistët më të mirë te skuadra e Ballkanit, me të cilën u shpall kampion, ndërsa gjithashtu edicionin e kaluar arriti edhe grupet e Ligës së Konferencës.
Një sukses të tillë skuadra nga Suhareka e Kosovës është gati për ta përsëritur edhe këtë edicion, duke pasur parasysh se ka arritur deri në fazën “play-off”.
Edhe këtë vit, Korenica ka shkëlqyer në Europë, aty ku ka shënuar 3 gola në 6 ndeshje, ndërsa i njëjti edicionin e kaluar në 14 ndeshje europiane, përfshirë këtu edhe 6 ndeshjet në fazën e grupeve, kishte realizuar 6 gola.
Ndryshe, Korenica pjesë e Ballkanit është që nga gushti i vitit 2020, kur erdhi nga rradhët e Prishtinës, ndërkohë vlen të theksohet se i njëjti brenda vitit 2016-të kishte luajtur edhe në futbollin tonë vendor me skuadrën e Shkëndijës, drejtuesit e së cilës e kishin huazuar më pas edhe te Metalurgu.
Një skuadër tjetër, me të cilën ka luajtur gjatë karrierës së tij, Korenica, është edhe Liria e Prizrenit, ndërsa KF Manisa pritet të jetë skuadra e tij e 6-të në karrierë, përmes së cilës mund të bëjë ndonjë transferim edhe më të bujshëm në vitet në vijim. (infOSport.mk)