Bunjamin Shabani pa dyshim se është një bartës i lojës së Struga Trim Lum, skuadër kjo që po na befason për të mirë edhe në ndeshjet europiane. Pikërisht skuadra strugane është e vetmja që po ruan nderin e skuadrave tona në garat ndërkombëtare, ndërsa shumë pak mungon që kjo skuadër të luaj edhe në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, duke u bërë në këtë mënyrë skuadra e para nga Maqedonia e Veriut.
Megjithatë për të arritur një gjë të tillë, Struga Trim Lum fillimisht do të duhet të kalojë pengesën e quajtur, Sëift Hesperange, ndaj së cilës skuadër në ndeshjen e parë në Shkup, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro kishte shënuar fitore 3:1.
“Një ndeshje shumë e rëndësishme. Siç theksoi edhe profesori ynë, neve e kemi harruar ndeshjen e parë, jemi maksimalisht të përqëndruar te ndeshja e nesërme ku kemi të bëjmë me një kundërshtarë shumë cilësor. Si në çdo ndeshje neve futemi për të bërë maksimumin, pjesën taktike që na e jep profesori dhe shpresojmë që të vazhdojmë ecurinë e këtyre ndeshjeve që kemi bërë deri më tani, si në aspektin e vrapimit, si në aspektin taktik, dhe shpresoj që të bëjmë nëj paraqitje shumë të mirë dhe të vazhdojmë tutje.” – u shpreh fillimisht Bunjamin Shabani, i cili nuk fsheh kënaqësinë që me Struga Trim Lum ka arritur deri këtu dhe se është në prag për të luajtur edhe në ndeshjet e “play-off” të një nga kompeticionet më të rëndësishme europiane në nivel klubesh.
“Nuk është gjë e vogël të shkosh në “play-off” në Ligën e Konferencës, për çdo futbollistë është diçka shumë e madhe dhe e rëndësishme. Shpresojmë që nesër këtë ndeshje ta mbyllim me sukses të shkojmë në “play-off”, e pse mos të bëjmë gjëra edhe më të mëdha” – deklaroi kapiteni i Struga Trim Lum, që edhe nesër pritet të jetë startues dhe një nga bartësit e lojës te skuadra strugane që pak më herët zhvilloi edhe stërvitjen zyrtare në arenën “Stade de Luxembourg”, aty ku nesër mbrëma me fillim në ora 20:00 do të zhvillojnë edhe ndeshjen e kthimit kundër Hesperange. (infOSport.mk)