Besir Alili po vazhdon të shkëlqejë në Botërorin U21 të mundjes që po zhvillohet në Aman të Jordanisë. Shkupjani në kategorinë deri më 61 kg, ka arritur që të sigurojë një vend për në ndeshjet gjysmëfinale, pasi paraprakisht mund ukrainasin Tashohlo dhe turkun Çetin.
Në luftën çerekfinale Alili ishte superior duke eliminuar me dush japonezin, Rin Sakamoto. “Diamantit” nga Shkupi i mjaftuan vetëm 1 minutë e 55 sekonda për të eliminuar mundësin e njohur japonez, ndërkohë për një vend në finalen e madhe, Alil do të luftojë kundër mundësit nga India, Kumar Mohit.