Struga Trim Lum pas fitores 3:1 në ndeshjen e parë ndaj kampionëve të Luksemburgut, Sëift Hesperange, është në rrugë të mirë të kaloj në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”.
Do të ishte ky një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën e themeluar vetëm 8 vite më parë, e që vazhdimisht po shkruan histori, tashmë edhe në Europë.
Megjithatë, sukseseve europiane ekziston mundësia që Struga Trim Lum mos të ju gëzohet në Maqedoni, kjo pasi asnjë nga stadiumet, përfshirë këtu edhe arenën “Todor Proeski”, nuk i plotëson kushtet për ndeshjet e rangut A.
Stadiumi më i madh në vendin tonë në aspektin e jashtë infrastrukturor është OK, mirëpo fusha e stadiumit për momentin është në gjendje të mjerueshme, ashtu që vetëm personat kompetent nga UEFA, që do të vijnë të premtën në Shkup për të inspektuar të njëjtën, do të japin verdiktin final, nëse ndeshjen e fazës “play-off” skuadra kampione e vendit, Struga Trim Lum do ta zhvillojë në Shkup, edhe pse mundësitë janë shumë të vogla, kjo për faktin se në fillim të shtatorit (09.09), edhe përfaqësuesja e Maqedonisë do të duhet të zhvillojë ndeshjen eliminatore kundër Italisë, e vlefshme për Euro 2024.
Ndërkohë siç mëson “infOSport.mk”, tashmë UEFA i ka vënë në dispozicion dy stadiume skuadrës strugane, edhe atë që të dy nga vendi ynë fqinjë, Shqipëria.
“Elbasan Arena”, apo edhe “Loro Boriçi” në Shkodër janë dy stadiumet ku Struga Trim Lum mund të zhvillojë ndeshjen e fazës “play-off”, kuptohet gjithnjë nëse skuadra e Shpëtim Duros kalon fillimisht pengesën e quajtur Sëift Hesperange.
Në rast se do kalonte këtë pengesë, Struga Trim Lum me shumë gjasa ndeshjen finale para inkuadrimit në grupet e Ligës së Konfernecës, do ta zhvillonte kundër skuadrës kampione të Islandës, Breidablik, skuadër kjo që në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminatorë të Liga Europa, pësoi debakël kundër boshnjakëve të Zrinjskit, duke u mundur me shifrat 6:2.
Ndeshjet e para të fazës “play-off” në kuadër të Ligës së Konferencës, në program janë me datë 24 gusht, dhe Struga Trim Lum në këtë rast do të ishte nikoqire në Elbasan apo edhe në Shkodër, derisa ndeshja kthyese do të luhej me datë 31 gusht. (infOSport.mk)