Shkëndija e Tetovës sot duheshe të zhvillojë ndeshjen e xhiros së dytë të Ligës së Parë kundër Struga Trim Lum, mirëpo për shkak se këta të fundit po garojnë në Europë dhe të enjtën i pret një përballje shumë e rëndësishme kundër kampionëve të Luksemburgut, Sëift Hesperange, për një vend në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, drejtuesit e skuadrës tetovare vendosën që ti kundërpërgjigjen pozitivisht kërkesës së skuadrës strugane për të anular këtë përballje.
Kështu ditën e diel, Shkëndija e shfrytëzoi për një ndeshje miqësore me skuadrën e Dinamos nga Ferizaji, skuadër kjo që edicionin e ri do të garojë në Ligën e Parë – Grupi A të Kosovës.
Këta të fundit në këtë rang garash do të debutojnë me 19 gusht, kur në Ferizaj do të mirëpresin skuadrën e njohur gjakovare të Vëllaznimit.
Sa i përket takimit të sotëm me Shkëndijën, të njëjtit bënë një paraqitje shumë të mirë, pavarësisht se në fund pësuan disfatë 2:0 nga skuadra shumë më e mirë, Shkëndija, që shënoi nga një gol në secilën pjesë.
Adenis Shala në minutën e 16-të shënoi golin e parë të takimit, ndërsa rezultatin përfundimtarë e vendosi Erald Çinari në minutën e 84-të.
Kujtojmë, Shkëndija fundjavën e ardhshme në kuadër të xhiros së tretë do të luaj kundër Tikveshit në Kavadar. (infOSport.mk)