Bajerni i Munihut e ka nisur shumë keq sezonin e ri, teksa ka humbur betejën e parë, atë të SuperKupës së GJermanisë nga skuadra e Lajpcig, njofton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Allianc Arena”, aty ku për herë të parë me fanellën e “bavarezëve” u paraqit blerja më e fundit, ajo e orëve të para të mëngjesit të sotëm, Harry Kane, Bajerni i Munihut pësoi disfatë 3:0.
Që të tre golat për skuadrën e Lajpcig i shënoi spanjolli, Dani Olmo, i cili ishte edhe njeriu i ndeshjes.
Harry Kane, i cili ekipit kampion të Gjermanisë i kushtoi plotë 110 milion euro, në fushë u inkuadrua në minutën e 63-të, mirëpo duke mos mundur të ndihmojë skuadrën për të rikthyer rezultatin, pasi në ato momente rezultati ishte 2:0 pas golave të shënuar të spanjollit Olmo në pjesën e parë.
Olmo në minutën e 68-të nga penaltia shënoi edhe golin e tretë, duke i dhënë fund turpit që kaploi ekipin “bavarez” para tifozëve të vetë.
Ndeshja e sotme e SuperKupës midis Bajernit të Munihut dhe Lajpcigut, njëherit ishte edhe paralajmërim për startin e sezonit të ri në Bundesligë, që hap siparin javën e ardhshme.
Më saktë, gjithçka nis të premtën me ndeshjen Verder Bremen-Bajern Munih, ndërkohë skuadra e Lajpcigut do të luaj të shtunën kundër Bajer Leverkusenit në transfertë. (infOSport.mk)