Besart Ibraimi, mbreti i golave dhe “tripletave” edhe në ndeshjet europiane në nivel klubesh

Besart Ibraimi vazhdon të mbajë epitetin e golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave në futbollin vendor, ndërsa një gjë të tillë me shumë gjasa kërçovari dëshiron të bëjë edhe në garat Europiane në nivel klubesh, kur janë në pyetje paraqitjet e futbollistëve vendor në kompeticionet më të rëndësishme të UEFA-s, siç janë Liga e Kampionëve, Liga Europa dhe Liga e Konferencës, shkruan “infOSport.mk”.

Mes këtyre tre kompeticioneve europiane, Ibraimi regjistron plotë 44 ndeshje dhe 24 gola të shënuar. Mbi të gjithë bomberi kërçovarë në të tre këto kompeticione ka arritur që të realizojë “tripleta”, duke vendosur emrin e tij në listën e futbollistëve më të spikatur shqiptarë që ndonjëherë kanë luajtur në garat europiane që janë nën ëmbrellën e UEFA-s.

Kujtojmë “tripletën” e parë në garat europiane, Ibraimi e kishte realizuar me fanellën e Shkëndijës me datë 13 korrik të vitit 2017-të kundër skuadrës finlandeze të HJK Helsinki, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikueset e Liga Europa.

Herën e dytë një gjë të tillë kishte bërë po me fanellën e Shkëndijës, këtë herë në kualifikueset e Ligës së Kampionëve, kur me datë 10 korrik të vitit 2018 kundër kampionëve të Uellsit, FC The News Saints kishte shënuar 4 gola në fitoren 5:0 të “kuqezinjëve” nga Tetova, ndërsa “tripletën” e fundit në garat europiane, më saktësisht në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, e regjistroi vetëm gjatë ditës së djeshme (10.08.2023), këtë herë me fanellën e Struga Trim Lum, duke ndihmuar këtë skuadër që të regjistrojë fitore 3:1 ndaj Swift Hesperange.

Ibraimi edhe pse në moshë 36-vjeçare vazhdon të shënojë pa ndërprerë, ndërsa treguesi më i mirë janë edhe 6 golat e tij këtë edicion me fanellën e Struga Trim Lum, edhe atë në 5 ndeshje europiane

Përveç 3 golave të fundit në ndeshjen kundër Hesperange, Ibraimi kishte shënuar edhe ndaj Zhalgiris në ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa gjithashtu kishte shënuar edhe dy gola të tjerë kundër Buduçnost, nga një në secilën ndeshje në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Vlen të theksohet se Ibraimi më së shumti ndeshje ka regjistruar në kualifikueset e Liga Europa, gjithsej 27, 12 në kuadër të atyre të Ligës së Kampionëve dhe 5 ndeshje në kuadër të kualifikueseve të Ligës së Konferencës. (infOSport.mk)

Leave a Reply