Bashkë me trajnerin Shpëtim Duro, sot në Konferencën për shtyp para gazetarëve nga rradhët e skuadrës kampione të Struga Trim Lum, doli edhe sulmuesi Marjan Radeski, i cili bashkë me Ibraimin po udhëheqin skuadërn në garat e sivjetme të Europës. Që të dy kanë shënuar nga 3 gola, duke rrumbullaksuar shifrën e gjithë 6 golave të shënuar nga Struga Trim Lum në 4 ndeshjet e deritanishme në Europë, aty ku numëron 2 fitore, një barazim dhe një disfatë.
Ndeshjen e nesërme kundër Hesperange, e vlefshme për turin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës, sulmuesi Radeski e sheh si një mundësi të artë, që Struga Trim Lum me një qasje shumë serioze të prek edhe ndeshjet e fazës “play-off”.
“Na pret një ndeshje shumë e rëndë me një skuadër shumë të mirë. Arritëm të shohim pak disa video dhe ti analizojmë ato. Vërtetë bëhet fjalë për një skuadër shumë të mirë, mirëpo shanset janë të mëdha për ti kaluar ata, edhe pse një gjë e tillë do të varet nga ne, nëse do të jemi ata që ishim deri më tani në këto ndeshje mendoj se kemi shanse të mëdha dhe një short të mirë për më tej deri në fazën ‘play-off’” – deklaroi Marjan Radeski, i cili nuk fshehi kënaqësinë që për momentin skuadra po funksionon si një familje e ngushtë dhe se pikërisht këtu është edhe çelësi i sukseseve tona si skuadër. (infOSport.mk)