Nigeriani Olatunbosun për një sulm më të fuqishëm të Voska Sport

Voska Sport gjatë ditës së sotme ka prezantuar sulmuesin nigerian, Sikiru Olatunbosun. Bëhet fjalë për një sulmues krahu, i cili te skuadra shqiptare nga Ohri vjen si agjent i lirë, derisa së fundmi ishte pjesë e TuzlaSpor në Ligën e Parë turke.

I njëjti në Turqi kishte luajtur edhe me Menemenspor dhe Ankaraspor, ndërsa gjithashtu kishte provuar veten edhe në Egjipt, duke luajtur me skuadrën e Smouha. Ndryshe karrierën e kishte nisur në vendlindjen e tij në Nigeri te skuadra e MFM FC, aty ku kishte luajtur edhe me Plateau United dhe Rivers United.

Olatunbosun për disa ditë ishte stërvitur me skuadrën e Voska Sport, për të cilën kishte zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, në të cilat kishte realizuar dy gola. Fillimisht kishte shënuar ndaj Elbasanit në fitoren 3:1, ndërsa gjithashtu shënoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Fushë Kosovës, kur pikërisht goli i tij i kishte siguruar fitoren skuadrës së Voska Sport. .

Me Olatunbosun skuadra shqiptare nga Ohri ka firmosur kontratë dy vjeçare. I njëjti pritet të jetë një opcion shtesë në sulmin e skuadrës së trajnerit Miljan Radoviç për sezonin e ri 2023/24 në Ligën e Parë, aty ku do të debutojnë si vendas kundër Shkëndijës së Tetovës. (infOSport.mk)

Leave a Reply