Struga Trim Lum mbrëmë në “City Stadium” Podgorica zhvilloi një nga ndeshjet e saj më të mira në Europë, duke mundur vendasit e Buduçnost me rezultatin 4:3. Derisa në terren gjithçka ishte në vijat e normales, për një moment në tribuna u shfaq një tollovi, që u shkaktua nga një tifoz që kishte veshur fanellën e Crvena Zvezdës, ku qëndronte emri i malazezit, Dejan Saviçeviç.
Një numër i tifozëve malazezë u hodhën mbi të, të tjerët ndërhyjnë, ndërsa policia ishte e detyruar që të përdorë forcë për të qetësuar masën.
Vlen të theksohet se e gjithë kjo situatë e pakëndshme në tribunat e stadiumit në Podgoricë, ndodhi në momentet kur Struga Trim Lum avansoi me rezultatin 2:1, falë golit të shënuar nga Marjan Radeski, që mbrëmë ishte figura qendrore te skuadra strugane, duke realizuar “hat-trik”. (infOSport.mk)