Boshnjaku Hoxhiç përforcon sulmin e FC Shkupit

Armin Hoxhiç, lojtar i dikurshëm i Liverpullit të madh, e më pas i skuadrave të Dinamos së Zagrebit, Mol Fehervarit, Kasimpashës dhe së fundmi Zheljezniçarit nga Sarajeva, është përforcimimi më i ri i skuadrës nënkampione të vendit, FC Shkupi.

28-vjeçari te skuadra nga Çairi vjen si agjent i lirë, pasi kishte mbyllur aventurën e tij me skuadrën e Zheljezniçarit, te e cila skuadër luajti vetëm 5 muaj, duke realizuar vetëm një gol në 17 ndeshje, mes Kupës dhe kampionatit boshnjak.

Hoxhiç në karrierën e tij ka bërë 14 paraqitje për kombëtaren e Bosnjës, duke shënuar tre gola, ndërsa për grupmoshat e reja, i njëjti kishte zhvilluar më shumë se 20 ndeshje, e ku më së shumti kishte spikatur me U19, duke regjistruar 9 gola në 15 ndeshje.

Gjatë karierës së tij, Hoxhiç për tre vite (2011-2014) ka qenë pjesë e Liverpullit të famshëm, ndërsa gjatë kësaj periudhe i njëjti ishte huazuar te Zheljezniçari boshnjak.

Ai gjithashtu kishte luajtur edhe me Dinamo Zagrebin, për të cilën skuadër në 111 ndeshje kishte realizuar 51 gola, 22 gola kishte realizuar në 84 paraqitje me hungarezët e Fehervar, derisa me fanellën e Kasimpasha në Turqi, në 21 ndeshje kishte shënuar 7 gola.

Me këto statistika, i njëjti pritet të ringjallet në elitën e futbollit tonë vendor, ku Hoxhiç do të luaj për herë të parë në karrierën e tij të bujshme. (infOSport.mk)

Leave a Reply