Pjesa e parë midis Buduçnostit dhe Struga Trim Lum, e vlefshme për turin e dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës, që në këto momente po zhvillohet në POdgoricë, është mbyllur me barazim 2:2. Që të dy golat për skuadrën kampione të vendit i realizoi Marjan Radeski, i cili doli të jetë shumë gjakftohtë para portës kundërshtare, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja në Podgoricë nisi me një tentativë të Besart Ibraimit që në minutën e parë, mirëpo ishin vendasit e Buduçnost që kaluan të parët në avantazh.
Malazezët përfituan që në rivënien e tyre të parë nga këndi, duke shënuar me anë të Djurukoviç që në minutën e 7-të, ndërkohë po në të njëjtën mënyrë u kundërpërgjigjë edhe Struga Trim Lum në minutën e 11-të.
Mentor Mazrekaj mjaft mirë harkoi nga rivënia e këndit brenda zonës kundërshtare, aty ku më së miri u gjind Marjan Radeski dhe me kokë shënoi një gol të bukur për barazim të rezultatit në 1:1.
Pasoi një lojë jo shumë atraktive në minutat në vazhdim, me shumë gabime në pasime dhe me shumë ndërhyrje, e ku si pasojë në minutën e 24-të, Mentor Mazrekaj duheshe të braktis ndeshjen, pas dy ndërhyrjeve të njëpasnjëshme brenda pak minutash ndaj tij.
Vendin e Mazrekajt e zuri Hogan Ukpa, i cili doli në skenë mu në momentin e duhur, teksa në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, nga gjithsej 6, udhëhoqi një kundërsulm të Struga Trim Lum, teksa në momentin e fundit pasoi për të disponuarin Marjan Radeski, i cili nuk fali dhe në ato momente shënoi për 2:1 në favor të skuadrës strugane.
Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë pasi në minutën e 8-të shtesë, Vasilij nga goditja e lirë shënoi një gol të bukur për barazim të rezultatit në 2:2. (infOSport.mk)