Gjatë ditës së sotme është mbajtur një takim mes zyrtarëve të klubit të FC Shkupit, përfaqësuesve të UEFA-s dhe pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku edhe një herë është konfirmuar se nuk do të ketë dhe nuk do të lejohet udhëtimi i tifozëve tanë për në Sofje të Bullgarisë për ndeshjen e kthimit, që skuadra nga Çairi do ta zhvillojë kundër Levskit.
Në këtë takim mes tjerash është thënë se nuk do të lejohet të udhëtojë asnjë tifozë nga Maqedonia e Veriut, edhe nëse i njëjti do të ishte i pajisur me biletën përkatëse për ndeshjen e dytë të raundit të dytë të Ligës së Konferencës.
Kjo pasi në hyrje do të kërkohet dokument identifikimi, ndërsa nuk do të ketë asnjë sektor të ndarë për tifozët mysafir.
Ky lajm i është kumtuar edhe kryesisë së tifo grupit “Shvercerat”, të cilët tani më janë në dijeni se udhëtimi nuk do të jetë i mundur. Andaj edhe një herë si klub apelojmë që të mos udhëtohet në asnjë mënyrë drejt Sofjes.