Kumanovari Ardon Jashari mund të përfundojë në La Liga!

Mesfushori shqiptar me origjinë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, Ardon Jashari, i cili aktualisht luan në Zvicër me skuadrën e Lucernit, shumë lehtë mund të përfundojë në La Liga-n spanjolle.

Jashari ka befasuar të gjithë me performancën e treguar, e mbi të gjitha që vetëm si 21-vjeç, ka arritur që të depërtojë edhe në ekipin e parë të Përfaqësueses së Zvicrës.

Sipas gazetës së njohur spanjolle, “AS”, Jashari ka përfunduar në listën e dëshirave të skuadrës së njohur spanjolle të Real Betis.

Megjithatë, Betisi nuk e sheh Jasharin si alternativë këtë edicion, por e sheh atë si një opsion interesant për të ardhmen, që megjithatë duhet të lidhet sa më shpejt për shkak të rivlerësimit të mundshëm.

Kjo është arsyeja pse te Betisi po shqyrtohet ky opsion, në rast të fitimit të parave të shpejta, për të ndërmarrë nënshkrimin e tij dhe të bëjë si me Alex Collado, duke e dërguar në huazim në ndonjë skuadër tjetër.

Ish-i i Barcelonës duket se do të huazohet te Las Palmasi, ndërsa për Jasharin tashmë ka një klub më se të interesuar.

Bëhet fjalë për gjigantin zviceran, Bazel, aty ku gjithnjë kanë luajtur, por edhe luajnë futbollistë shqiptarë.

Drejtuesit e Bazelit në disa raste janë përpjekur të negociojnë me Lucernin për shërbimet e Jasharit, mirëpo të njëjtit kanë hasur në përgjigje negative.

Drejtuesit e Lucernit nuk dëshirojnë të shesin talentin e tyre te ndonjë nga skuadrat rivale në Ligën Zvicerane. Kjo është arsyeja pse Bazeli tashmë i ka komunikuar Betisit interesimin për huazimin e Jasharit në rast se ekipi spanjoll do e transferonte në rradhët e veta talentin kumanovar.

Edhe pse vetëm 21-vjeç, Jashari tashmë numëron dy paraqitje me kombëtaren e Zvicrës, derisa me Lucernin ka zhvilluar plotë 61 ndeshje zyrtare, duke regjistruar edhe 3 gola dhe 8 asistime.

Leave a Reply