Voska Sport nesër kundër ekipit kosovar të Fushë Kosovës do të zhvillojë gjeneralen në prag të sezonit të ri futbollistik 2023/24, në të cilin skuadra jonë për herë të parë në histori do të luaj në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, njofton “infOSport.mk”.
Trajneri Miljan Radoviç ndeshjen pritet ta nisë me 11-shen më të mirë, rreth të cilit edhe do të krijohet boshti i skuadrës për sezonin e ri, paralajmërojnë nga Voska Sport, edhe pse sigurisht që minutat e tyre do të marrin edhe pjesa tjetër e skuadrës, që gjithashtu do të duhet të ndihmojnë ekipin në sezonin e ri.
Kujtojmë, fazën e përgatitjeve skuadra e Voska Sport të tërën e zhvilloi në Ohër, ku edhe zhvilluan pjesën më të madhe të ndeshjeve kontrolluese.
Gjatë kësaj faze kjo skuadër zhvilloi gjithsej 6 ndeshje, duke regjistruar 4 fitore dhe 2 disfata, përfshirë këtu edhe disfatën në Korçë kundër Skënderbeut (0:2).
Ndeshja e nesërme është e fundit në kuadër të fazës përgatitore, përmes së cilës trajneri malazez, Radoviç do të ketë një pasqyrë më të mirë për startin e sezonit të ri në Ligën e Parë, që starton me datë 6 gusht.
Ndeshjen e parë Voska Sport do ta zhvillojë si nikoqir kundër Shkëndijës së Tetovës.