Dikur njëri prej lojtarëve më të mirë shqiptar në futsal, tanimë trajner, Ferid Agushi, i cili së fundmi luante rolin e trajnerit te skuadra kampione e Futsal Shkupit, i është bashkuar shtabit teknik të FC Prishtina 01.
Ai së bashku me Haki Ahmetin do ta drejtojnë skuadrën drejt sukseve të reja në elitën e futsalit kosovar.
Agushi ka thënë se projekti i afruar nga presidenti Bledion Bryma dhe fondi i lojtarëve e kanë bindur të bashkohet me klubin kampion.
“Projekti i presidentit Bledion Bryma ishte shkaku kryesor i ardhjes time. Ambiciet e klubit për të fituar trofe dhe fondi i lojtarëve të cilët janë më të mirët e dy përfaqësuesve, Kosovës dhe Shqipërisë, të grumbulluar në një skuadër ishte shkaku kryesor për të pranuar ftesën të jem trajner i Prishtina 01”.
“Besoj se me angazhim, punë profesionale, disiplinë nga të dyja anët do t’i arrijmë objektivat dhe synimet që dëshirojmë, siç janë mbrojtja e titullit dhe përfaqësimi i Kosovës dhe paraqitja sa më denjësisht në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Agushi.
FC Prishtina 01 po vazhdon punën për tu përgatitur sa më mirë për Ligën e Kampionëve, ku në gusht do të udhëtojë në Poloni.