Dukagjini ka pësuar disfatë minimale 0:1 nga Rijeka në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen e parë, e vlefshme për turin e dytë në Ligën e Konferencës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Rijekës, e cila përveç rasteve të shumta arriti ta shënoj edhe një gol me anë të Jankoviç në minutën e 30-të.
Në pjesën e dytë, Dukagjini rriti paksa lojën, por përsëri mysafirët ishin skuadër më e mirë dhe më kërkuese për golin.
Megjithatë, gjithçka iu vështirësua në minutën e 62-të kur kapiteni Altin Merlaku mori edhe kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 lojtarë.
Deri në fund të ndeshjes, Rijeka pati edhe dy mundësi shënimi të cilat nuk i konkretizoi, ndërsa në minutën e fundit të ndeshjes, edhe trajneri Armend Dallku u ndëshkua me të kuq, ndërsa ndeshja në fund u mbyll me disfatën minimale 0:1 të Dukagjinit.
Ndeshja e kthimit midis Dukagjinit dhe Rijekës zhvillohet në “HNK Rijeka Stadium Rujevica” me datë 3 gusht. (infOSport.mk)