Tirana ka pësuar disfatë 3:1 në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës përballë Beshiktashit, ndeshje kjo e zhvilluar në Stamboll të Turqisë, njofton “infOSport.mk”.
Ashtu siç pritej në transfertën e vështirë të Stambollit, ishin vendasit që diktuan lojën dhe u munduan që të shënonin sa më shpejt në portën bardheblu. Ata ia dolën me Bulut në minutën e 21-të dhe pastaj me Muleka para fundit të pjesës së parë, teksa Selmani shmangu disa raste të tjera të mira të skuadrës turke gjatë pjesës së parë, në të cilën Tirana nuk është se bindi shumë.
Në pjesën e dytë, ritmi i lojës ra disi dhe Tirana ia doli që të krijonte disa mundësi shënimi. Nëse Abazaj shpërdoroi një rast të mirë për të shënuar, Kaina nuk fali në debutimin e tij në një ndeshje zyrtare me fanellën e Tiranës, duke shkurtuar diferencën në 2:1.
Ky gol nga ekipi i Tiranës erdhi në minutën e 83-të, mirëpo 10 minuta më vonë, pra në minutat shtesë të takimit, Beshiktashi shënoi edhe golin e tretë, për një ndeshje kthyese më të qetë në “Air Albania” në Tiranë një javë më vonë.
Autorë i golit të tretë për Beshiktashin, ishte Këlëçsoj, i cili në këtë mënyrë i siguroi skuadrës së tij dy gola epërsi. (infOSport.mk)