Fitore historike e Struga Trim Lum ndaj Buduçnost

Struga Trim Lum ka regjistruar fitoren e parë historike në garat europiane. Në edicionin e dytë që kjo skuadër po luan në Europë, sot në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Konferencës mundën ekipin e Buduçnost nga Mali i Zi me rezultatin 1:0, shkruan “infOSport.mk”.

Kujtojmë, ishte kjo vetëm ndeshja e 5-të për Struga Trim Lum në garat europiane, aty ku kjo skuadër regjistron edhe dy barazime dhe dy disfata.

Pjesa e parë ishte shumë më e mirë për ekipin e Struga Trim Lum, kur edhe shënuan golin e avantazhit.

I pari që u kanos, ishte Besart Ibraimi kur në minutën e 7-të, bëri gjithçka mirë në zonën kundërshtare, mirëpo goditja e tij në momentin e fundit u bllokua mjaft mirë nga mbrojtësi kundërshtarë Axhiç.

Katër minuta më vonë partneri i Ibraimit në sulm, Marjan Radeski, lëshoi një predhë të vërtetë me të majtën e tij, mirëpo në vendin e duhur këtë herë ishte portieri mysafir.

Aksionet e rrezikshme vazhduan të zhvillohen para portës mysafire, me Ibraimin, i cili në minutën e 21-të, goditi shtyllën pingule.

5 minuta më vonë edhe një aksion tjetër i bukur i Struga Trim Lum, me Shabanin, që shërben Ibraimin në zonë, ky i fundit mjaft mirë uli topin për Bojkun, mirëpo goditja e numrit 10-të, të Struga Trim Lum përfundoi vetëm mbi portë.

Pas gjithë këtyre rasteve, në minutën e 30-të Striga Trim Lum shënoi golin e avantazhit, falë Besart Ibraimit, i cili me mjaft mjeshtëri nga brendia e zonës në tentativën e tij të tretë arriti që të gjejë rrjetën e Pavliçiç.

Mirëpo kjo nuk ishte e tëra nga repertoari i Besart Ibraimit gjatë pjesës së pare në këtë ndeshje, pasi i njëjti u kanos edhe tre herë të tjera, me portierin Pavliçiç që në dy raste ndali goditjet e bomberit tonë, derisa një herë tjetër reagoi mbrojtja e skuadrës malazeze.

Edhe pjesa e dytë nisi me inciativën e skuadrës strugane, ndërsa kanosjen e parë “të kuqtë” e patën në minutën e 51-të, kur pas pasimeve të njëpasnjëshme dhe të sakta, Radeski para zonës pasoi për kapitenin Bunjamin Shabani, goditja e të cilit përfundoi vetëm mbi portë.

Një tjetër rast përmes të cilit Struga Trim Lum mund të shënonte golin e dytë të sigurisë, ishte ai i minutës së 73-të, kur pas harkimit të Besart Ibraimit nga krahu i djathtë, shumë pak mungonte që Radeski të shënonte të portën kundërshtare.

I fundit që u kanos ishte Mexhit Neziri, edhe atë në minutat shtesë të takimit, mirëpo që edhe njëherë tjetër mbrojtja mysafire arriti të reagojë, duke evituar rrezikun.

Në fund fitore minimale për Struga Trim Lum, por që jep shpresa për një kalim tutje në raundin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës.

Leave a Reply