Voska Sport nga dita në ditë po shndërrohet në një klub mjaft serioz, kjo falë përkushtimit të madh të presidentit Nefi Useini, që tashmë ka filluar të mendoj edhe për ardhmërinë e klubit, duke hapur dyert për shumë fëmijë të qytetit tonë, por edhe më gjërë.
Kështu krahas angazhimeve të shumta, drejtuesit e skuadrës shqiptare nga Ohri, kanë bërë ndryshime edhe në Shkollën e Futbollit, duke i kushtuar një vemendje të veçantë segmentit të zhvillimit të të rinjëve.
Duke marrë përbazë nevojën që Voska Sport të ketë një koordinator të Shkollës së Futbollit, këtë pozicion, drejtuesit e klubit ia besuan trajnerit të dëshmuar për punën me futbollistë të rinj, Seit Kreka, i cili këtë profesion e ushtron që nga mosha 20-vjeçare.
I njëjti posedon licencën C, B, ndërsa është në semestrin e fundit për të përfunduar edhe licencën A. Kreka gjithashtu ka përfunduar kurset e “Coerver Coaching Youth Diploma” 1 dhe 2 në Beograd si dhe kursin për trajner kondicional.
Ai gjatë karrierës si trajner ka udhëhequr ekipin e KF Vëllaznimit, me të cilin kishte garuar në ligën e parë për fëmijë, që më pas të marrë drejtimin e KF Flamurtarit nga Ladorishta, me të cilën skuadër kishte luajtur në Ligën e Dytë me të rinjtë deri në moshën 18-vjeçare, por gjithashtu edhe në ligën e parë për fëmijë deri ne 13 vjeç.
Kreka për dy vite radhazi kishte ushtruar edhe detyrën e trajnerit te ekipi i seniorëve të Flamurtarit, duke garuar me shumë sukses në Ligën e tretë – regjioni jugperendimor.
Në vitin 2018, Kreka kishte themaluar shkollën private Fc Young Team, që njihet si një ndër shkollat më të mëdha dhe me të fuqishme jo vetëm në vend por edhe me gjërë.
Bashkë me të me grupmoshat e reja te Voska Sport do të punojnë edhe Milot Lena dhe Betim Bauta, që do përkujdesen për gjeneratat nga viti 2005 deri në vitin 2009.